Perikli Zaharia

Është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Në periudhën 1977-1980, ka shërbyer si këshilltar ligjor dhe noter në qytetin Librazhdit, ku dhe ka ushtruar funksionin e gjyqtarit pranë gjykatës së shkallës së parë deri në vitin 1983. Deri në vitin 1986 ka qenë inspektor pranë Gjykatës së Lartë, ndërsa në periudhën 1986-1991 ka kryer funksionin e inspektorit pranë Drejtorisë së Ligjshmërisë së Kuvendit Popullor. Ka shërbyer si kryekëshilltar i Kuvendit në periudhën 1991-1993. Pas kësaj kohe deri në vitin 1996, ka punuar si Drejtor i Projektit të Publikimit të Vendimeve Gjyqësore, si kryeredaktor i Revistës Juridike “Jurisprudenca” dhe si Kryetar i Grupit të Juristëve Shqiptarë për të Drejtat e Njeriut.

Në periudhën 1996 - 1998 ka punuar si këshilltar ligjor pranë Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Pas kësaj kohe ka kryer funksionin e Kancelarit të Gjykatës së Lartë, deri në korrik 2000, kur është emëruar Gjyqtar i Gjykatës Lartë me mandat 9 vjeçar. Ka qenë kryetar i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë për periudhën qershor 2002 - qershor 2003 dhe qershor 2008 - qershor 2009. Ka shërbyer si Kryetar i Komisionit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare për Marrëdhëniet Gjyqësor Media në periudhën 2003-2008.

Prej muajit Korrik 2009 ka vazhduar me mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës si dhe në një sërë universitetesh jopublikë. Prej muajit shtatori 2013 e në vazhdim punon si këshilltar juridik i Kryetarit të Kuvendit. Ka qenë anëtar i grupit të hartuesve të Kushtetutës së Shqipërisë në periudhën 1992 -1998 dhe koordinator i grupit të punës për përqasjen e legjislacionit shqiptar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për periudhën 1999-2000. Ka qenë anëtar i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë (CCJE), dhe si përfaqësues i Gjyqësorit të Shqipërisë në këtë Këshill për periudhën 2009-2012.