Vangjel Kosta

Është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1983. Në periudhën 1983 – 1991 ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në periudhën 1991 – 1993 ka ushtruar funksionin e arbitrit në Arbitrazhin Shtetëror. Në vitin 1993 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme të Tiranës. Në periudhën 1993 -2000 ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë, në Kolegjin Tregtar. Në periudhën 1995 – 1996 ka punuar si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Nga viti 2000 e në vazhdim, punon si pedagoj i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës. Prej vitit 2000, ai është konsulent ligjor me kohë të pjesshme në Zyrën e Shërbimit Ligjor Falas ( ish – CAFOD ). Prej vitit 2002 e në vazhdim punon si avokat në studion ligjore Zaka & Kosta Attorneys at Law. Prej vitit 2013 është pedagog në Shkollën Kombëtare të Avokatisë në lëndën e Procedurës Civile. Prej vitit 2014 është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai ka qenë pjesë e disa grupeve të punës për hartimin e Kodit të Familjes, për zbatimin e ndryshimeve të Kushtetutës në Kodin Civil, për amendimin e legjislacionit tregtar, anëtar i Grupit të Ekspertëve Ligjorë, në Komisionin e Reformës Ligjore, anëtar i Grupit të Punës, për vlerësimin e përshtatjes së Legjislacionit për Mbrojtjen e Konsumatorit në këndvështrim të Kodit Civil të RSH-së, anëtar i Grupit të Ekspertëve, të ngritur nga Komisioni i Ligjeve, Kuvendi i Shqipërisë, për rishikimin e draftit të projektligjit "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor". Ka marrë pjesë në përgatitjen e drafteve të Ligjit për Ndihmën Juridike si dhe për amendimin e Ligjit për Gjendjen Civile dhe të Ligjit për Ndihmën dhe Shërbimet Sociale. Ai është bashkëautor i disa teksteve dhe manualeve si “Manual për Administrimin e Gjyakatave”, “Manual për Ligjin shqiptar të Falimentimit”.